Buxheti/ Veliaj: Bëjmë të gjitha rrugët e lagjeve që lidhen me Unazën e Madhe, modernizojmë transportortin urban në Tiranë

13 Dhjetor 2024, 22:28

Në vitin 2025, Bashkia e Tiranës do të përfundojë disa investime të mëdha të nisura përgjatë këtij mandati. Kryebashkiaku Erion Veliaj, në një dëgjesë për buxhetin e vitit të ardhshëm, deklaroi se brenda pranverës do të përfundojë terminali verior, ndërkohë që me mbarimin e punimeve në Unazën e Madhe, Bashkia e Tiranës do të nisë nyjet lidhëse me lagjet që preken nga ky investim. Ai theksoi se në këtë mandat të tretë, Bashkia e Tiranës do të bëjë investimet më të mëdha në ujësjellës.

“Terminali Verior mbaron në pranverë, është investimi më i shpejtë për këtë vit. Pastaj vazhdojmë me historinë e stacioneve të reja të autobusit dhe Unazën e Madhe, e cila mbaron këtë fundvit, ku bashkia do të bëjë nyjet lidhëse me lagjet. Me këtë buxhet do të kemi investimet më të mëdha në Ujësjellës. Mezi pres të inaugurojmë impiantin e Bovillës, pas gjithë problematikat që kemi pasur, lidhur me sistemin e filtrimit, i cili për herë të parë e ka dyfishuar ujin që vjen i filtruar në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Duke u ndalur te transporti urban, ai nënvizoi se ka nisur modifikimi i të gjitha stacioneve të autobusëve, ku do të vendosen tabelat elektronike me oraret e sakta të lëvizjes. Veliaj tha se do të synohet se tre linjat kryesore që operojnë në kryeqytet do të kenë një flotë totalisht elektrike.