Çështja 'Beleri', kryetarja e Gjykatës Kushtetuese: Nuk ka kërkesë për përshpejtim të procesit për masën e sigurisë

5 Shkurt, 11:04

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në një konferencë për shtyp, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

E pyetur nëse është marrë në shqyrtim çështja, ajo u përgjigj se çështja ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese, është duke u përgatitur, por ende nuk është gati.

Ajo shtoi se nuk ka asnjë kërkesë për përshpejtim të procesit në lidhje me masën e sigurisë.

“Në datën 28 shtator 2023 GJK ka marrë në shqyrtim dhe ka vendosur kalimin e saj në seancë plenare. S’ka ardhur në proces, është duke u përgatitur, janë duke u marrë materialet. Në momentin që një çështje bëhet gati dhe relatori është gati kërkon datën dhe vendoset. Nuk na rezulton të kemi kërkesë për përshpejtim nga palët e përfshira në proces”, tha Zaçaj.