Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme që ishin përcaktuar për t’u mbajtur në fund të qershorit të vitit 1997-të dhe që do të shënonin fundin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar ishin në rrezik. Në shtypin e datës 14 maj 1997-të pasqyroheshin zhvillimet e vrullshme ku PD bëri ligj elektoral dhe “zhduku” projektin e kryeministrit Fino ndërsa Presidenti Berisha miratoi dekret që ditën e zgjedhjeve qytetarët të votojnë edhe në një referendum për formën e shtetit, Monarki apo Republikë. Në Gazeta Shqiptare shkruhej: “Ligji i PD rrezikon zgjedhjet” Ndërsa titulli kryesor i Koha Jonë ishte : “ PD minon zgjedhjet”.




















