Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Në shtypin e shkruar të datës 14 prill 1996 argumenti kryesor që pasqyrohej kishte të bënte me një konferencë të Partisë Socialiste. Komisioni i Verifikimitt ë Figurave kishte skualifikuar 35 kandidatë socialist për zgjedhjet e 26 majit dhe drejtuesit e kësaj force politike reaguan. Namik Dokle në konferencë si kundërpërgjigje publikoi 16 foto të Presidentit Berisha me ish-krerët komunistë. Gazeta Koha Jonë shkruante: “Dokle publikon “dosjen Berisha”. Në Gazetën Shqiptare një tjetër e përditshme e pavarur publikohej reagimi i socialistëve por zhvillimi kryesor kishte të bënte me një tjetër ngjarje të zbuluar. Një pedofil australian i kërkuar për abuzime me të miturit prej 3 vitesh ishte mësues në Shqipëri. Zhvillimi kryesor i Gazetës Shqiptare ishte ky : “ Përbindëshi i fëmijëve mësues në Tiranë”.




















