Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Më 28 mars të vitit 1997-të humbën jetën në detin Adriatik 81 shqiptarë të cilët ishin nisur drejt Brindisit në Itali për një jetë më të mirë dhe për t’i shpëtuar situatës së tmerrshme që ishte krijuar në Vlorë pas rënies së firmave Piramidale. Në shtypin e kohës në numrin e datës 2 prill 1997-të gazetat fokusohen tek kjo ngjarje shumë e rëndë për të cilën Shqipëria ishte në zi kombëtare. ZP(Zëri i Popullit) shkruan : “Shqipëria midis dhimbjes dhe shpresës, Lot në Vlorë për të dashurit e humbur”. Ndërsa RD (Rilindja Demokratike) botimi i Partisë Demokratike pasqyronte mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Berisha për familjarët dhe po ashtu edhe deklaratën e Kryeministrit italian të asaj kohe duke shkruar ndër të tjera : “ Prodi: Italia e vendosur të hedhë dritë mbi tragjedinë”.





















