Report Tv në emisionin e mëngjesit “Shtypi i Ditës dhe Ju” me gazetarin Andi Kapxhiu sjell çdo ditë rubrikën “ Na ishte njëherë”. Kjo hapësirë vjen si një mundësi për të rikthyer nëpërmjet gazetave të ditës , pra shtypit të shkruar ngjarje dhe zhvillime të viteve apo dekadave më pare dhe shërben si një memorie kolektive për këdo.
Nga fundi i majit të vitit 1997-të situata në vend ishte sërish e tensionuar jo vetëm sepse partitë nuk po gjenin kompromis për zgjedhjet e jashtëzakonshme por në jug kishin filluar sërish edhe protestat kundër pushtetit qëndror. Në Zërin e Popullit botimin e Partisë Socialiste pasqyroheshin protestat e vlonjatëve kundër Presidentit Berisha të cilët theksonin se nuk do ndalen deri sa ta rrëzojnë nga pushteti. Titulli kryesor në ZP ishte : “ Berisha nuk ka vend në Vlorë “. Në Gazetën Shqiptare zhvillimi kryesor kishte të bënte me përpjekjet për konsensusin për zgjedhjet dhe shkruhej : “ Partitë-Europës: Na ruani votat”. Ndërsa në Koha Jonë shkruhej : “ PS në zgjedhje, çahet opozita”.




















