Pas rrënimit që sollën në vend ngjarjet e 97-tës dhe pas ndryshimit të pushtetit qeveria e re nën drejtimin e socialistëve dhe Shqipëria kishin nevojë jetike për ndihmat e ndërkombëtareve. Në tetor të vitit 97-të në Bruksel u zhvillua një konferencë për donacione për Shqipërinë. Fatos Nano si kryeministër i Shqipërisë kishte arritur të mbushte thesin me ndihma për të rimëkëmbur vendin. Në numrin e datës 23 tetor 1997-të ky zhvillim merrte vëmendjen e shtypit të shkruar. Gazeta Koha Jonë në faqe të parë shkruan: “ Nano mbush thesin e premtuar” duke nënvizuar se qeveria shqiptare mori mbështetjen e plotë. Ndërsa në gazetën Zëri i Popullit titulli kryesorë ishte ky: “ 630 milionë dollarë,akordohen për Shqipërinë”.




















