Fondi Monetar Ndërkombëtar i bënte një paralajmërim të fortë qeverisë shqiptare në fillim të tetorit të vitit 1996. Thirrja kishte të bënte me fajdet apo firmat piramidale që po vepronin prej disa vitesh në vendin tonë. FMN kërkonte që fajdet të mbylleshin pasi shumë familje do të humbisnin kursimet ndërsa Ministri i Financave Bode e pranonte se ishte shumë e vështirë që kompanitë të kthenin huatë që u kishin marrë qytetarëve. Në faqe të parë në numrin e datës 8 tetor 1996-të gazeta Koha Jonë shkruan: “ FMN:Shqiptarë mbyllni fajdet”. Të njëjtën tematike e trajton në shkrimin kryesor edhe Gazeta Shqiptare. Në këtë të përditshme shkruhej se Hajdin Sejdia do shlyejë borxhet që u ka marrë shqiptarëve dhe se në Tiranë pikërisht për këtë gjë kishin mbërritur 3.3 mln dollarë nga Zvicra. Shkrimi kryesor i Gazetës Shqiptare ishte ky: “ Mbërritën dollarët e borxhit të Sejdisë” . Shembja e skemave piramidale në fund të 96-tës e fillim të vitit 1997-të solli për vendin pasoja të rënda ekonomike,politike e shoqërore.




















