Dasmat në pandemi, Brataj në Report Tv: Lokalet të përshtaten me respektimin e masave! Në vjeshtë nuk ka çlirim nga virusi

1 Qershor 2021, 19:43

Nga1 qershori, të gjithë qytetarët në të gjithë vendin mund të lëvizin në ambiente të jashtme pa maska. Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj i ftuar në Report Tv, tha se duhet të vijojmë që të jemi vigjilentë, pasi ende ka të sëmurë dhe qytetarë që humbin jetën nga ky virus. Megjithatë Brataj shtoi se transmetueshmëria e virusit është më e ulët.

‘Po hiqen masat, është në sensin pozitiv. Fillimi i një finalje, po shkohet në heqjen dorë pas dore deri në eliminimin e tyre. Kemi të sëmurë ende nga COVID dhe vazhdojnë që të kemi humbje jete. Shifrat të shqetësojnë pak! Në 37 të sëmurë, 7 në terapi intensive që do të thotë se vijnë në forma të rënda në spital. Do të thotë që në banesa ka edhe të tjerë të sëmurë. Ne ketë momente nuk duhet ulur vigjilenca. Mënyra e transmetimit të virusit është më e ulët. Në 15 qershor hiqet kufizimi nga 10 persona në 50. Muzika live është shtuar dy ore nga ora 20-22. Këto janë aktivitetet që janë në vend të parë për sa i përket përhapjes së infeksionit. Janë të gjitha rreziqet e përhapjes së infeksioneve.’- theksoi mjeku.

Duke folur për organizimin e festave familjare dhe të dasmave, Brataj tha se tashmë lejohet grumbullimi deri në 50 qetetarë, një numër ky i favorshëm për të realizuar disa nga festat kryesore të qytetarëve. Duke u ndalur tek dasma, Brataj tha se loklate duhet të përshtaten për respektimin e masave anti-COVID.

‘Të gjithëve ju mungon një përqafim, për arsye të sëmundjes. Mirëse të vijnë festat, por kuptohet se është një provë e lirimit të masave për arsye se me 50 veta ke mundësi të organizosh një festë. E kemi thënë që stina e verës është edhe në avantazhin tonë. Duke parë edhe masat mendoj se mundësia e përhapjes është më i vogël se gjatë gjithë muajve të pandemisë që kemi kaluar. Grumbullimi 50 veta, të krijohet mundësi të përshtaten lokalet me respektimin e masave. Për sa u përket festave të vogla zakonisht nuk e kalojnë atë numër, por për dasmat. Për këtë arsye u liruan një numër shumë i madh festash.’- tha Brataj.