Kanë vijuar debatet e forta në Komisionin hetimor të Shëndetësisë, kryesisht mes kryetares Albana Vokshi dhe nënkryetarit Plarent Ndreca.
Opozita kërkon shtyrjen e afatit të komisionit të Sterilizimit dhe Check Up me 2-3 javë dhe që të merret në pyetje kryeministri Edi Rama.
Kurse mazhoranca ishte kundër shtyrjes së afatit, teksa Ndreca u shpreh se kryeministri nuk është objekt i komisionit, pasi nuk lidhet me çështjen në fjalë dhe nuk ka pasur rol vendimmarrës në koncesionet e shëndetësisë.
“Kryeministri s’ka firmosje në këto koncesione dhe kontrata sipërmarrëse, nuk ka lidhje me çështjen dhe objektin e këtij Komisioni Hetimor, ndaj nuk mund të thirret për dëshmi. Po kështu edhe një prej emrave që ju përmendët si sipërmarrës, pasi nuk lidhet me koncesionet që kemi nën objekt”, tha Ndreca.
Më tej ai theksoi se qëllimi i opozitës është ta prishë mbledhjen dhe pengojë, teksa pranoi atë të Kryesisë, por pa shtyrë afatin.
“Mbledhjen e Kryesisë e bëjmë, por jo që të shtyhet afati i caktuar, nëse doni mbledhjen, hajde ta bëjmë, nëse keni ardhur për ta prishur, është çështje tjetër”.
Vokshi pranoi mbledhjen e Kryesisë mes palëve për të diskutuar kalendarin dhe këmbënguli për shtyrjen e afatit.