Dezinformimi/ Tafaj: S’kemi evidenca për sabotues, por ka alert! Vetëm këtë vit pati 600 raste rrjedhje informacioni dhe 20 sulme kibernetike, 2 s’i ndaluam dot

23 Tetor 2024, 12:53

Kreu i AKSK për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, teksa foli në raportimin e tij para anëtarëve të Komisionit të Dezinformimit, shpjegoi edhe me shifra rrezikun që kanoset, rastet e evidentuara, mundësinë e sabotimit nga brenda të institucioneve dhe rrjedhjes së informacionit nga infrastrukturat, kritike siç e quajti ai, apo qytetarët.

Dhe jo pak, pasi ka pasur 600 raste rrjedhje informacioni vetëm për këtë vit, periudha janar-gusht dhe 20 sulme kibernetike, nga të cilat 2 s’janë ndaluar dot.

“Nuk kemi evidencë nëse kemi pasur njerëz të paguar që punojnë për institucionin dhe duan të sabotojnë shërbimet, por sigurisht jemi në alert. Përsa i përket rrjedhjes së informacionit, vetëm në vitin 2024, janar-gush, janë vërejtur 600 raste të rrjedhjes së informacionit nga infrastrukturat kritike dhe në nivel qytetarësh mbi 5600 raste. Në vitin e kaluar jemi ndeshur me 49 sulme dhe këtë vit 20 sulme, vetëm në dy raste nuk kemi arritur ta parandalojmë për shkak të sofistikimit që kishte sulmi”, shpjegoi Tafa.