Dhoma e poetit të pushkatuar

25 Korrik 2022, 22:21

5 gushti i viti 1976 do të shënonte fillimin e fundit, në jetën e poetit dhe përkthyesit Vilson Blloshmi. Ai ishte 28 vjeç kur e arrestuan atë ditë gushti të '76-ës. Në shtëpi kishte lënë me lot në sy, bashkëshorten Djana, e cila ishte shtatzënë. Në pikëllim ishte e gjithë familja Blloshmi, e cila ishte goditur shpesh nga regjimi që prej vitit 1944. Pak muaj më parë po nga kjo shtëpi kishin marrë edhe të vëllanë Bedriun. E po ashtu do të arrestonin edhe kushëririn e tyre Gencin. Regjimi kishte përgatitur të hapte një proces të veçantë gjyqësor që e quanin "grupi i Bërzeshtës" dhe në këtë proces të shfaqej gjithë egërsia e diktaturës, për ti dhënë një tjetër hov luftës ideologjike dhe traumatizimit të shoqërisë së përçudnuar prej propagandës. Fundi i këtij procesi do të ishte tragjik. Pretenca ishte dhënë për tre dënime me vdekje, për dy vëllezërit Bedri dhe Vilson Blloshmi dhe për poetin Genc Leka, por vendimi i gjyqit do të linte në fyqi vetëm dy dënime me vdekje, për dy poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Bedriun do ta dënonin me 25 vjet burg, duke e bërë të përjetojë dhimbjen më të tmerrshme që mund të përjetojë një njeri, pushkatimin e vëllait që për javë më rradhë ishte lutur e kishte shpresuar se do tia kursenin jetën. Por a njihet dhembshuria në regjimet totalitare? Ai ishte i dënuar të vuante pafund, ditë pas dite e natë pas nate përfytyrimin e tmerrshëm të momentit të pushkatimit të vëllait 28 vjeçar....