Enigma e 2 marsit të Ilir Metës

25 Shkurt 2020, 08:26

TIRANË- Skenarët e asaj se çfarë do të ndodhë në dy mars, thirrur nga presidenti Ilir Meta janë të shumta, ashtu si kurse ky vendim është interpretuar ndryshe nga analistë, gazetarë, juristë si edhe përfaqësues të politikës në emisionin e sotëm në "Pa Protokoll" në Report TV.

Për kreun e SHISH, Fatos Klosi ky veprim i bërë nga Meta i ka humbur shumë vlera të figurës së një presidenti, teksa shprehet se takimin e bërë me kryedemokratin Basha e lexon si një tregues pafuqie për të mbledhur njerëz në shesh. Krejtësisht ndryshe e interpreton gazetari Mentor Kikia. Përballë gazetares Anduela Ndreu, Kikia tha se Meta po e përdor për të kuptuar peshën e tij tek populli, si një demostrim 'force'. Nga ana tjetër, juristi Jordan Daci e mendon të padobishme këtë vendim të kreut të shtetit, sipas së cilit nuk çon në zgjidhjen e krizës politike. As Meta, as marrëveshja opozitë- mazhorancë, për Dacin nuk kanë vlerë. Për të, dalja nga kriza vihet vetëm me ekuilibër politik, që arrihet me zgjedhje të parakohshme.Roli i kryedemokratit Lulzim Basha në këtë "luftë" institucionesh President- Kuvend solli debat në "Pa Protokoll". Klosi u shpreh kritik ndaj tij, duke thënë se nuk po bën gjë tjetër përveç se po justifikon "një post që ia kanë falur dhe nuk e ka fituar", e ndërsa përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso tha se është krejt e kundërta.  Një qëndrim serioz po mban Basha, u shpreh Kaso, i cili i ka kryer detyrat si kryetar i opozitës. Sa i takon 2 marsit, Kaso zgjodhi të mos fliste në emër të opozitës, por tha se do të ishte personalisht në shesh kundër asaj që quan "përdhosje të demokracisë".