Felaj': Kemi kapacitetet spitalore për pacientët me COVID! Noka: Kur i keni pse zyrtarët tuaj u trajtuan jashtë

19 Shkurt 2021, 22:42

Menaxhimi i pandemisë si dhe kushtet e shërbimeve në spitalet shqiptare kanë hapur debat në emisionin 'Pa Protokoll' mbrëmjen e sotme mes të ftuarve. Ish-deputeti i PD-së, Flamur Noka ngre problematikën e mungesës së kushteve spitalore ndërsa thotë se qeveria nuk ka marrë masa.

Ndërsa deputetja e PS-së, Ermonela Felaj thotë se sistemi shëndetësor shqiptar i ka të gjitha kapacitetet për ofrimin e shërbimit tek pacientët.

Noka është shprehur se nëse Shqipëria ka kapacitete spitalore, pse zyrtarët e qeverisë zgjodhën që të trajtohen jashtë shtetit kur u infektuan me COVID.

Pjesë nga debati:

Noka: Mos u mburr me orarin që punojnë 8 orë apo 10 orë, por me kushtet që u ke krijuar mjekëve. Ku e keni shëndetësinë falas.

Felaj: Të zgjedhin shërbimin shtetëror apo atë privat, kjo flet për mirëqënien e tyre. Nëse e kanë mundësinë që t'i drejtohen shërbimit privat, ju siguroj që janë mirë ekonomikisht. Ndryshe nuk do i drejtoheshin.

Noka: Nëse shqiptarët nuk do i drejtoheshin spitaleve në Turqi, Itali apo Gjermani do e pranonim. Pse ju zyrtarët ja mbathët jashtë shtetit për vete dhe i latë shqiptarët në këto kushte katastrofike.

Felaj: Kur u shpall pandemia në fillim të vitit të kaluara, ishin vetëm disa qindra teste që bëheshin. Nëse në mars, kjo histori na dukej e largët, kjo histori erdhi në Shqipëri. Sot bëjmë disa mijëra teste, teste të shpejta që bëhen në qendrat shëndetësore.