Gazetarja nga Kosova Xharra: Berisha non grata nga SHBA se sulmoi reformën në drejtësi, degradoi drejtësinë gjatë qeverisjes së tij

21 Maj 2021, 19:37

Lufta e vazhdueshme që Sali Berisha i ka bërë procesit të vettingut dhe reformës në drejtësi ka qenë arsyeja që është shpallur non grata nga SHBA. Kështu shpreh bindjen e saj gazetarja nga Kosova Arbana Xharra, e cila më herët kishte hedhur akuza të rënda ndaj Sali Berishës se u ka dhënë pasaporta shqiptare pjesëtarëve të Al Kaeda-s.  Në një intervistë për Report Tv, gazetarja Xharra tha se lufta e Berishës me padinë nuk qëndron dhe do të jetë në betejë e humbur për të pasi Antony Blinken nuk ka folur në emër personal, por në emër të sekretarit amerikan të shtetit dhe se këto deklarata nuk bëhen pa pasur prova dhe nuk janë vendimet që merren brenda natës.

"Ne shumë mirë e dimë se ishte kërkesë e SHBA vettingu dhe reforma në drejtësi dhe shpallja non grata e Berishës lidhet pikërisht me luftën e tij kundër vettingut dhe kësaj reforme. Ajo çfarë e shqetëson SHBA-në është degradimi i drejtësisë gjatë kohës që Berisha ishte në pushtetit. Kush mund të dyshojë se SHBA ka marrë një vendim të tillë pa fakte dhe kush mund të besoj se pasurimi i Berishës ka ardhur nga pagat e rrogat. Vendimi nuk është marrë nga Blinken por qeveria e SHBA dhe nuk e padit dot atë personalisht, Berisha vetëm do të harxhojë të holla dhe as ato nuk i bën publike", tha Xharra.

Akuzat e Berishës se këto prova janë fabrikuar në zyrën e Edi Ramës, Xharra tha se kjo nuk qëndron pasi DASH apo SHBA nuk ndikohet nga kush dhe se ata kanë mbledhur për një kohë të gjatë prova e fakte dhe pastaj kanë dhënë vendimin non grata. Ajo tha se Berisha duhet t'i pranojë gabimet pasi pasurimi i tij nuk ka ardhur nga rrogat e marra.

"Fabrikimi i provave në zyrën e Edi Ramës nuk qëndron pasi nuk ndikohet DASH nga askush dhe ky vendim nuk merret brenda natës pasi ka grumbullime faktesh e provash për një kohë të gjatë. Duhet të bëhet transparence dhe deklarata e tij nuk është korrekte por kështu ka vepruar për herë Berisha, familja dhe fisi  Berisha janë milioner, pse me rroga u bënë prandaj luftojnë vettingun, prandaj luftojnë SHBA. Unë do kisha sugjeruar të pushojë me luftën e tij kundër reformës në drejtësi dhe SHBA-së pasi e ka të humbur luftën.  Berisha ka bërë gabime duhet t'i pranojë", tha ajo.