Gërdeci, gazetari Arsen Rusta: SPAK kërkon gjykimin e Mediut, Beqiri: Kërkesa të shoqërohet me prova të reja

6 Maj 2021, 22:24

SPAK i kërkoi ditën e sotme Gjykatës së Lartë rihapjen e çështjes kundër ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediut për çështjen e Gërdecit, 13 vite pas tragjedisë ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Report Tv risjell vendimin e Gjykatës së Lartë ku më 14 shtator të 2009 ka pushuar çështjen ndaj Fatmir Mediut pa vendosur pafajësinë apo gjykimin e tij. Pikërisht kjo temë është diskutuar në emisionin "Repolitix" në Report Tv mbrëmjen e sotme, ku avokati Idajet Beqiri tha se SPAK me kërkesën për rishikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë duhet të ketë edhe prova të reja, pasi kërkesa nuk mund të bazohet vetëm në mungesën e imunitetit të deputetit.

"Problemi është se ka një vendim të Gjykatës së lartë që ka pushuar çështjen për 14 shtator 2009. Ky është një vendim i formës së prerë pushim i procedimit penal. SPAK po shfrytëzon  të vetmin nen që është rishikimi i këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, por duhet të ketë diçka të re se s'bën. Ndryshimi kryesor është se Mediu nuk ka më imunitet, por nuk duhet të jetë e vetme kjo, pasi do të ketë edhe prova të tjera të reja që të rishikohet vendimi. E vetmja pengesë për rihapjen e çështjes do të ishte nëse do të merrte pafajësinë, ai nuk ka as dënim as pafajësi, vetëm është pushuar çështja" tha Beqiri,

Ndërsa për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta SPAK deri tani nuk ka prova të reja, por kërkon gjykimin e Fatmir Mediut në bazë të hetimeve që janë bërë më herët.

"SPAK sot kërkon që të gjykohet Fatmir Mediu, se hetimi është i mbyllur dhe më pas gjykata vendos nëse ka nevojë për hetime plotësuese, pushim të çështjes, ose direkt vendim.  SPAK nuk ka një provë të re, por kërkon të flas për një çështje të 'ngrirë' ku janë pezulluar hetimet për një çështje të arkivuar", tha Rusta.