Gledis Nano paralajmëron drejtuesit e rinj të policisë: Jeni në provë, do vlerësoheni në bazë të meritokracisë

19 Tetor 2021, 16:50

Drejtuesit e rinj të emëruar në detyra të posaçme në Policinë e Shtetit, janë në provë. Paralajmërimi për ta ka ardhur nga vetë Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, sipas të cilit, të gjithë do të vlerësohen bazuar në meritokraci dhe integritet. Një ditë pas ndryshimeve në 11 drejtori qarqesh dhe në 7 poste të tjera të rëndësishme brenda kupolës së policisë, Nano ka bërë publike edhe gjashtë emërime të reja, në nivele të dyta drejtuese.

Krenar Muço është drejtori i ri i Migracionit, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit. Por kjo nuk është lëvizja e vetme që Nano ka bërë këtë të martë në kuadër të ristrukturimit të Policisë së Shtetit. Ish-drejtori i Policisë së Fierit, Ferdinand Mara, i liruar nga detyra një ditë më parë, emërohet drejtues i Drejtorisë së Analizës dhe Informacionit Kriminal, në Departamentin e Policisë Kriminale. Pjesë e emërimeve të reja janë edhe Artur Selimaj në detyrën zëvendësdrejtor për Sigurinë dhe Policimin në Komunitet, në Policinë e Elbasanit. Në të njëjtën detyrë, por kësaj radhe në Berat transferohet nga Elbasani, Albert Nushi. Zëvendësdrejtorët e Hetimit të Krimeve ndryshojnë në Vlorë dhë në Durrës, ndërsa Gledis Nano ka emëruar përkatësisht në të dy drejtoritë në fjalë, Ilir Dedjan dhe Lorenc Metën.