Grabitja në Nikël dhe situata e rendit në vend, eksperti i kriminalistikes: Policia bën show me kontrolle blic! Nëse shteti s'na mbron dot, të lehtësohet procedura e armatosjes së qytetarëve

24 Tetor 2021, 18:46

Teksa për shumë krime të rënda në vend 'faji' i është vënë edhe faktit se ende në qarkullim janë armët e 1997-ës, eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi jep një sugjerim krejt tjetër për të parandaluar ngjarje të rënda. Duke marrë shkas nga grabitja e biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Fushë Krujës, në studion e Report Tv, Rexhepi tha se sa kohë shteti nuk i siguron dot jetën qytetarëve, atëherë duhet të lehtësojë procedurat që ata të mund të marrin një armë në pronësi, për t'u mbrojtur vetë.

"Ngjarja është shumë e rëndë dhe nëse shteti nuk na siguron, të lehtësohet procedura  e armatosjes së njerëzve, të kenë të drejtën të mbajë armë. Sa kohë nuk na siguron jetën shteti, më mirë ta mbroj jetën vetë. Sa armë gjahu ka në qarkullim? A mund të bëhet krim me armë gjahu? Po patjetër. Armët frenojnë këto krime, shteti nuk po gjen zgjidhje", tha ai.