'I përfshirë në aferën e Portit të Durrësit', Basha i përgjigjet Berishës: Mashtrime! S'jemi kundër investimeve

18 Shkurt 2022, 12:12 | Përditesimi: 18 Shkurt 2022, 12:12

Kreu i PD Lulzim Basha, dhe kandidati i PD për Bashkinë Durrës, Luan Hoti, kanë zhvilluar një takim të organizuar nga Dhoma e tregtisë Durrës, me përfaqësues të biznesit. Kreu i selisë blu deklaroi se shqetësim mbetet largimi i fuqisë punëotre, duke mos përjashtuar goditjen e tërmetit dhe pandemisë.

Ndër të tjera Lulzim Basha iu përgjigj edhe akuzave të Berishës se kreu i PD me kryeministrin Edi Ram janë të përfshirë në aferën e Portit të Durrësit. Basha, teksa i quajti këto akuza një gënjeshtër të pastër, tha se PD nuk është kundra investimeve, por kërkon transparencë dhe konsultime me të gjithë qytetarët.

"Politika ka humbur fytyrën njerëzore dhe ka uzurpuar institucionet, institucione e uzurpuara nga politika nuk mund t'i shërbejnë ekonomisë. Një nga arsyet kryesore pse sharlatanët ecin përpara në politikë jo vetëm në Shqipëri, është se përdorin një politikë që i bëjnë njerëzit të mos mendojnë, mos të logjikojnë, i ushqejnë si fëmija në çerdhe. Nuk logjikojnë.

Është ngritur një gënjeshtër sikur PD dhe PS, në veçanti unë dhe i pari i qeverisë kemi pakt për Portin e Durrësit. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Kemi qëndruar fuqimisht për transparencë dhe e konsiderojmë një aferë.

Thonë se do investojnë 3 miliardë, ne duam të shohim 6 apo 8 të investohen, nuk jemi kundra investimeve. PD është pro zhvillimit por kërkon transparencë. Kjo punë s'bëhet duke sjellë një sheik."-tha Basha.

r.k./Shqiptarja.com