Për gati 2 javë Durrësi do të shndërrohet në qendrën e një gjykimi shumë të rëndësishëm me efekt në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një nga zyrtarët e regjimit iranian, i akuzuar për krim kundër njerëzimit dhe krime lufte, po gjykohet nga një gjykatë suedeze
Gjykimi i Hamid Noury, i cili ka qenë zëvendës prokuror i një burgu në Iran ka nisur më 10 gusht dhe vazhdon ende. Krimi për të cilin bëhet fjalë ka ndodhur në korrik 1988, kur mendohet se 30,000 të burgosur politikë u masakruan pas seancave gjyqësore të parregullta që zgjatnin një ose dy minuta. Të gjitha viktimat janë varrosur në fshehtësi në varre masive të fshehta. Mbi 90 përqind e viktimave ishin aktivistë të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit.














