Kandidat i PS për Tiranën, Plarent Ndreca për Report TV: Lista e PD na kthen pas me 20 vite

9 Mars 2021, 19:23

Kandidati i PS për Tiranë, Plarent Ndreca e cilësoi listën e PD së bashku me aleatët si një kthim pas në kohë me 20 vite, ku nuk frymëzon më dhe as nuk sjellë asgjë të re, por ruan privilegjet e disa figurave që nuk kanë çfarë të japin më për vendin. Gjatë një interviste për "Studio Live" në Report Tv, Ndreca tha se lista e PD në Tiranë është zhgënjyese pasi pritshmëritë ishin të larta nga qytetarët pasi kërkojnë një opozitë të fortë. Ndreca tha se lista e PD nuk do të sjellë asnjë rotacion të jashtëzakonshëm që pretendon Basha, ndërsa listën e PS e cilësoi si listë me energji të reja që synon zhvillimin dhe marrjen në dorë të fateve të vendit dhe jo thjeshtë fitoren dhe vazhdimin e qeverisjes.

"Në Tiranë lista e PD nuk ka asnjë ndryshim, është zhgënjyese që nga opozita që ka pritshmëritë më të larat se pretendon një rotacion të jashtëzakonshëm, nuk ka asnjë ndryshim të paktën në 12 fituesit në fillim të listës.  Përkundrazi ka disa figura që nuk thonë asgjë, figura 25-vjeçare që rrotullohen aty dhe mbajnë privilegjet e tyre. Këto emra e kthejnë kokën e opozitës shumë mbrapa dhe nuk po shikon para dhe nuk mund të marr dot fatet e Shqipërisë në dorë.  Opozita e Shqipërisë ngelet peng i disa emrave që nuk thonë më asgjë dhe ruajnë privilegjet e deputetit.  Duan thjeshtë të mbajnë rezultatin por jo fitoren. Opozita do marrë mësimin e duhur më 25 prill. Kishte 4 vjet kohe të përgatiste listën dhe prezantohen me një listë që nuk frymëzon askënd, por kthen kokën 20 vite pas. Kjo opozitë nuk është e pjekur mjaftueshëm për të marrë fatin e vendit, ata duan vetëm rotacionin, jo si PS që synon të jetë një forcë shtytëse për zhvillimin e shoqërisë", tha Ndreca.