Kardinali Ernest Troshani: Krishtlindje të rralla në historinë e botës! Mesazh politikanëve

25 Dhjetor 2020, 21:59

TIRANË- Hirësia e tij, Kardinali Ernest Simon Troshani, nga Fierence në një lidhje me Skype në emisionin 'Pa Protokoll', i ka cilësuar këto Krishtlindje të rralla, që nuk ishin parë më parë në historinë botërore. Megjithatë, ai shtoi se ai që beson në Zot, do e ketë shpirtin të gëzuar.

"Koha në të cilën e kaluam, ishte e panjohur në historinë e botës. Fjala e parë që mund të themi është që çdo njeri duhet ta njoh krijuesin, të njohë vetveten, qëllimin për pse është në botë dhe çka do të jetë në të ardhmen. (...) Në këto kushte, Krishtlindjet janë krejt të rralla, por për njeriun që beson Zotin, është ajo që i bën të gjithë të jenë të gëzuar në shpirtin e tyre", tha Kardinali në intervistën për gazetaren Anduela Ndreu. 

Kardinali ka rrëfyer edhe ndjesitë nga mesha e mbajtur në Vatikan, e cila ndryshe nga herët e tjera nuk mbushi sheshin për shkak të COVID-19, por lutjet u përcollën nga ekrani i një televizoni.  

"Në kushtet e sotme, Papa e mbajti meshën në 19:30, komuniteti apostolik i Kishës italiane i këshilloi besimtarët që të shohin meshën në televizion, ku prej aty i përcollën lutjet e vazhdueshme dhe shpresën e madhe. (...)Teknologjia ka bërë të mundur që të komunikojmë në të gjitha format për bashkimin shpirtëror të popullit fetar. Me anë të një televizori e gjithë bota fetare është bashkuar për të parë ka parë meshën dhe Krishtin që po lind", tha Kardinali.

Në fund, hirësia e tij, Princi i Kishës Botërore ka pasur edhe një mesazh drejtuar besimtarëve katolik shqiptarë kudo që ndodhen, pa harruar as politikanët.

"Mbi të gjitha duhet të vendoset dashuria e gjithanshme në drejtësi. (...) Jepni të drejtën që i takon çdo familje qytetare të jap votën që drejtësia të vihet në vend të parë", përfundoi kardinali Ernest Troshani.