Kreu i LZHK, Dashamir Shehi thotë në Report Tv se ka kërkuar që në buxhetin e 2025 për pensionistët të shkojnë edhe 300 mln euro me qëllim rritjen e pensioneve. Në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’, Shehi thotë me ironi se me këtë kërkesë Partisë Socialiste i duket i luajtur mendsh. Shehi thekson për gazetarin Ilir Babaramo se qeveria kërkon investimet publike, pasi vetëm aty merr ca para për vete.
“Të gjithë duan investimet publike, për propagandë. Duhen ca para për qeverinë, vetëm këtu dalin. Te pensionet s’dalin para, te pagat s’dalin para. Edhe me dash me qenë i korruptuar s’ke çfarë merr aty. Unë u kam kërkuar 300 mln për pensionistët, u dukem i luajtur mendsh. Pensione me 120 mijë lekë të vjetra, nëse kjo qeveri s’ka kurajo me bo një kërcim që të jetë i ndjeshëm, që tu sigurojnë të paktën një 250 mijë lek pension. Pagën minimale e kemi çuar 400 mijë lek, rroga dhe pensioni duhet të qëndrojnë me një raport të paktën te 50%. Po të merrej kjo qeveri me prioritetin real, do e çonte tek pensionet”, tha Shehi në Report Tv.