Kodi zgjedhor, Haxhinasto: Nuk është rritur pesha e votës, vodhët zgjedhjet e 2017 nuk ju beson njeri! Shameti: Vota shkon tek i zoti

30 Tetor 2020, 23:09 | Përditesimi i fundit: 2020-10-30 23:21:22

Ndryshimet në kodin zgjedhor vijojnë sërish të "pëprlasin" palët politike për zgjedhjet e 2021 ku secila prej tyre kanë pretendimet e veta.

Të ftuar në emisionin Pa Protokoll mbrëmjen e kësaj të premte ishin deputeti i PS-së Adnor Shameti dhe ish-ministri i transportit Edmond Haxhinasto. Për ish-deputetin e LSI-së, Haxhinasto, ndryshimet në kodin zgjedhor nuk e kanë rritur peshën e votës së qytetarëve, por të kundërtën.

"Ky është një veprim teknik. Janë thellësisht dhe politike e kushtetuese. Edhe në aspektin moral. Është një injorim total i detyrave që duhet të bëjë Shqipëria. I është bërë një dëm i jashtëzakonshëm që pesha e votës së qytetarëve nuk është e barabartë. Do t'i referohesha dhe një mungesë totale përgjegjësie për procesin e integrimit në BE. Jemi në një situatë që ka i ka bërë një atentat zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk shoh dhe nuk gjej asnjë lloj argumenti se me këtë keni rritur peshën e votës së qytetarëve. Vetëm është dëmtuar" - tha Haxhinasto.

Ndërkohë që deputeti socialist shprehet se këto ndryshime bëjnë që votat e qytetarëve të shkojnë për partinë që është nisur dhe nuk humbasin nëpër partitë e tjera.

"Me këtë mënyrë, vota shkon në atë parti që është nisur. Me trenin e parë, nëse një person votonte partinë a ndërsa deputetin e merrte partia c. Sot kemi një prag 1 përqind për të gjithë subjektet politike duke lejuar koalicionet parazgjedhore. Mandati i një të zgjedhuri do të ketë të njëjtin numër votash dhe nuk ka pse të jetë me një disproporcion. E çon votën tek i zoti. Hapja e listave është arritja më e madhe" - tha Shameti.

Por sërish Haxhinasto shprehet se këto nuk mund t'i besojë njeri pasi hetimet për dosjet e dala nga zgjedhjet e 2017 janë precedent i mjaftueshëm për të vërtetuar vjedhjet nga mazhoranca.

"Del shumë qartë ky imazh që Shameti përpiqet ta shesë. Edhe pas thirrjeve të ndërkombëtarëve, pse ata e vendosën çështjen e reformës si kusht. Mungonte klima politike. Kishim një parlament monist. Ky është realiteti. Ti ke vjedhur zgjedhjet e 2017, dosjet të cilat janë shumë evidente. Tani mundohemi që të rregullojmë këtë konfliktualitet me gjëra teknike. Nuk e blen asnjë njeri. Nuk kemi barazim në përfaqësim. Votat për një mandat do të jenë të ndryshme për çdo parti. Përpjekja për të mbrojtur këtë është e pashpresë" - shprehet Haxhinasto.