Koraqi në Report Tv: Testimet do vijojnë të rriten! Rreziku i infektimit me COVID në spitale i ulët

16 Tetor 2020, 23:27 | Përditesimi i fundit: 2020-10-16 23:43:55

Tashmë që po futemi në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, ekspertët e shëndetësisë thonë se transmetueshmëria e COVID-19 rritet, ndaj dhe sistemi shëndetësor duhet të jetë i përgatitur. Vendimi i qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskave në ambientet e jashtme duket se nga shumë qytetarë është pritur mirë, por ka dhe një pjesë të vogël që kanë shprehur pakënaqësi për këtë vendim.

Mjeku Andi Koraqi, anëtar i Komitetit të Ekspertëve, i ftuar në emisionin Pa Protokoll në Report Tv thotë se sistemi shëndetësor po përgatitet për të përballuar një shtim të rasteve. Ai thotë se numri i testimeve do vijojë të rritet dhe se epidemiologët janë çdo ditë në terren duke gjurmuar kontakte  të të infektuarve. Gjithashtu në këtë periudhë, Koraqi thotë se shtohen dhe rastet e gripit sezonal, duke e bërë situatën më konfuze na raport me të infektuarit me COVID.

Ai tha se duhet që të bëhen sa më shumë teste laboratorike për të bërë dallimin e atyre që janë të prekur nga COVID dhe ata me grip të thjeshtë. Ndërkohë për mbajtjen e maskave Koraqi u shpreh se është e domosdoshme mbajtja e saj e cila ul shumë rrezikun e infektimit.

" Strategjia e testimeve, nuk ka asnjë të dhënë numri i testimeve ul numrin e rasteve. E rëndësishme është gjurmimi dhe izolimi. Testimet janë më të mëdha në Italia pasi shkojnë në raport me numrin e popullsisë. Gjurmimi i epidemiologëve bëhet 24 orë në 24. Në komitetin e ekspertëve, mjekët mbulojnë një pjesë të caktuar. Të gjitha masat që merren, është për të parandaluar krizën e sistemit shëndetësor. Numri i të infektuarve në janar nuk dihet nëse do të 5 fishohet apo të dhjetëfishohet, askush nuk mund ta di këtë, ndaj po merren masa. COVID-19 është një virozë respiratore e cila e ka kulmin në sezonin e dimrit. Testimi laboratorik është i rëndësishëm për të bërë dallimin mes COVID dhe gripit sezonal. Të testohet me ato që quhen teste multiplekse, një testim që nxjerr dhe nëse je infektuar me COVID apo nëse është një virozë e stinës." - tha Koraqi.

Koraqi shprehet se rritja e testimeve deri në fillim të vitit tjetër do të bëhet në bazë të një studimi dhe të disa indikatorëve gjatë kësaj periudhe.