Koronavirusi, nis vaksinimi i pedagogëve dhe mësuesve me dozat e dyta

10 Qershor 2021, 10:10

Ka nisur sot në stadiumin "Air Albania" vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve me dozat e dyta. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa inspektoi nisjen  e vaksinimit, theksoi se është e rëndësishme që të vijojë sipas kalendarit të vaksinimit.

"E rëndësishme që edhe dozat e dyta të bëhen sipas kalendarit të vaksinimit dhe ndërkohë vijojnë edhe Forcat e Armatosura dhe grupimet e tjera, ndërsa në Sheshin Skënderbej po ashtu vijon vaksinimi sipas grupmoshave", tha ajo.

Procesi i vaksinimit në vend po ecën me ritme mjaft të shpejta, ku numri total i vaksinimeve të kryera, deri dje, ishte 816.556.

Dy ditë më parë ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim bëri me dije se qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA e ka futur Shqipërinë te vendet me nivel të ulët rreziku të infektimit nga COVID, nnjë lajm i mirë për të gjithë ata që duan të vijnë në vendin tonë për argëtim ose biznes.