Kthyen kaosin në Kuvend, PS kërkon ndëshkimin e 5 deputetëve të Rithemelimit, mes tyre Noka e Bardhi

10 Qershor, 11:36

Pasi Rithemelimi ktheu kaosin në Kuvend, edhe Partia Socialiste i kthehet skenarit te vjetër. Mazhoranca i është drejtuar Sekretariatit të Etikës me një kërkesë ku kërkon masë disiplinore për 5 deputetë të Rithemelimit.

Listës nuk mund t’i shpëtonte Flamur Noka, protagonisti i zellshëm i kaosit, i cili bllokoi foltoren e Kuvendit, ofendoi kryetaren e Kuvendit Lindia Nikolla, si edhe i mori mikrofonin Nasip Naços duke u përplasur me punonjësit e Gardës.

Ndëshkim kërkohet edhe për Gazment Bardhin, Edi Palokën, Ervin Salianjin dhe Luan Baçin. Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të mblidhet ditën  e sotme ora 13.00, për shqyrtimin e kësaj kërkese.