Kushi thirrje akademikëve: Aplikoni në ASCAL dhe jepni kontribut për Arsimin e Lartë në Shqipëri

7 Qershor 2021, 11:26 | Përditesimi: 7 Qershor 2021, 11:26

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka ftuar të gjithë akademikët e nderuar, brenda dhe jashtë vendit, që të japin kontribut me vlerë për Arsimin e Lartë në Shqipëri, duke aplikuar për t'u bërë pjesë e “Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë” (ASCAL).

Kushi nëpërmjet një video-mesazhi ka bërë një thirrje të hapur për të gjithë përfaqësuesit e botës akademike që në kuadër të konsolidimit të mëtejshëm të ASCAL, të aplikojnë për pozicionet si “Drejtor i Përgjithshëm” apo si një prej 11 anëtarëve të Bordit të Akreditimit, nga të cilët minimalisht 3 dhe maksimalisht 5 duhet të jenë te huaj.

Ministrja nënvizon se rritja e cilësisë së Arsimit të Lartë dhe përafrimi me standardet më të mira evropiane, janë ndër objektivat më madhore të mandatit të ri qeverisës, mbështetur edhe në Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, e cila është në fazë konsultimi publik dhe pritet të miratohet së shpejti.

“Në funksion të këtij objektivi, ne synojmë të hapim dyert e universiteteve tona për bashkëpunim të ngushtë me universitetet më prestigjioze evropiane dhe të krijojmë kushtet e nevojshme që studentët tanë të mund të marrin në të ardhmen diploma evropiane, këtu, në Shqipëri”, shprehet ministrja Kushi.

b.ha./Shqiptarja.com