Kuvend/ Tabaku: Qeveria frikësohet nga vota e Diasporës, po përjashton 150 mijë shqiptarë nga zgjedhjet!

27 Shkurt, 16:13 | Përditesimi: 27 Shkurt, 16:13

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot në Kuvend shqetësimin lidhur me trajtimin e pabarabartë të shqiptarëve nga qeveria, veçanërisht atyre që jetojnë jashtë vendit.

Në fjalimin e saj ajo denoncoi përpjekjet e qeverisë për të përjashtuar nga procesi zgjedhor mbi 150 mijë shqiptarë të diasporës, duke i ndarë qytetarët në të "dorës së parë" dhe "dorës së dytë".

"Frika e qeverisë nga vota e diasporës është e qartë. Ata dinë të vlerësojnë meritën, ndershmërinë dhe punën e palodhur, ndaj qeveria bën gjithçka për t’i mbajtur jashtë votimi”, tha ligjvënësja demokrate. 

Duke iu referuar shifrave alarmante, deputetja demokrate tha se nga 237 mijë regjistrime të diasporës, 97 mijë persona janë refuzuar, ndërsa 40 mijë prej tyre janë përjashtuar në mënyrë unike.

"A nuk janë këta shqiptarë? Kjo është një padrejtësi e papranueshme dhe një standard i dyfishtë që qeveria e zbaton gjithmonë për të mbajtur pushtetin me çdo kusht”, theksoi Tabaku.

r.k./Shqiptarja.com