Kuvendi/ Debate të forta, Bardhi: Hajduti dy metra intimidoi deputetët e opozitës! Shtyni me 3 javë afatin e Komisionit! Spiropali: Mos fyeni, e shtymë dy herë

14 Nëntor, 10:50

Teksa opozita akuzoi Ilir Beqajn si “hajduti dy metra” në lidhje me ngërçin ku ka hyrë Komisioni Hetimor i Shëndetësisë, kryeparlamentarja Elisa Spiropali i kërkoi kolegëve të mos fyenin.

Këtu ka nisur momenti i një debati-replikë mes kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi dhe kryeparlamentares.

Bardhi kërkoi edhe 3 javë shtyrje për Komisionin, duke përsëritur akuzat si hajdut ndaj Beqajt, për të cilin tha se “guxoi të kërcënonte anëtarët e Komisionit, deputetët e opozitës”. Ai shprehu kërkesë edhe për hetimin e këtij rasti, teksa përsëriti thirrjen për shtyrjen e afatit, një javë për planin hetimor dhe dëshmitë, kurse 2 javë për përgatitjen e raportit.

“Sot raporti duhet të vinte në seancë plenare, por ju nuk e lejuat”, tha Bardhi. Kurse Spiropali kujtoi se afati ishte shtyrë 2 herë dhe opozita e kishte zvarritur, duke mos e lejuar dëshmitarin që të fliste. Bardhi tha se Spiropali po shqetësohet se ka hall se “hajduti dy metra është Rama, por jo, e kishim për Ilir Beqajn, jo për kryeministrin”.