Lëvizje politike për 25 prill/ Peleshi: S'është për t'u fshehur! Rama ka talent të spikatur për t'iu përgjigjur ambicieve dhe sfidave të kohës

8 Janar 2021, 22:52 | Përditesimi i fundit: 2021-01-08 22:58:07

Ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi në një intervistë për Report Tv pranoi se emërimi i tij në krye të këtij dikasteri, ka qëllim politike, për të arritur një maksimalizim të votave në fushatë! Peleshi ka vlerësuar kryeministrin Rama, sipas së cilit ka një "talent të spikatur t’iu përgjigjur ambicieve dhe sfidave të kohës me formatin më të mirë të mundshëm".  

"Kryeministri ka një mandat të fituar me votën popullore padyshim dhe ka të drejtë që ta kompozojë kabinetin qeveritar duke harmonizuar ambiciet dhe të gjitha angazhimet për të cilat është votuar kryeministri dhe PS-ja që sot qeveris e vetme vendin. Nuk është detyra ime që të komentoj lëvizjet e kryeministrit në kabinet, por një gjë është e sigurt që gjithmonë kryeministri, si çdo kryeministër, por unë besoj që kryeministri Rama ka një talent të spikatur për t’iu përgjigjur ambicieve dhe sfidave të kohës me formatin më të mirë të mundshëm. Siç e thashë nuk është e lehtë që të analizojmë një emërim, një emërtesë apo një vendim në mënyrë të shkëputur nga tërësia. Edhe kabineti qeveritar, ashtu si në shumë vendime të tjera, duhet të mbajë parasysh ekuilibra të caktuar apo të harmonizojë forcën politike me forcën teknike, nëse mund ta quajmë kështu. Mendoj që në të gjitha formatet që kryeministri Rama ka zgjedhur, nga viti 2013 e deri më sot, u janë ngjitur shumë mirë nevojave dhe sfidave të kohës. Nuk është për t’u fshehur që ne tani jemi në një vit elektoral, jemi disa muaj larg zgjedhjeve. Jo vetëm një qeveri si e jona, por çdo qeveri e çdo vendi demokratik fokusohet dhe mobilizohet që të justifikojë një mandat të ri. Ne jemi në një sfidë jo të lehtë, duhet thënë, sepse shkojmë për një mandat të tretë, me shumë besim por nga ana tjetër edhe të vetëdijshëm për faktin se do të jetë hera e parë në historinë politike 30-vjeçare në këtë sistem të ri të demokracisë liberale që një forcë politike merr një mandat të tretë. Kështu që është totalisht legjitime që edhe veprimet gjithmonë brenda kornizës ligjore, të kuadrit ligjor, të jenë me një vështrim dhe me një fokus edhe nga suksesi për të cilin synojmë të arrijmë politikisht në zgjedhjet e 25 prillit", tha Peleshi.