TIRANË- Lulzim Basha duket se ka një zgjidhje për ta 'shpëtuar' Sali Berishën nga sikleti ku e ka futur veten me mbledhjen e firmave. Sot kryedemokrati nga mbledhja e Kryesisë ka vendosur që të thërrasë Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike më 18 dhjetor, fiks një javë nga data që ka deklaruar ish-kryeministri Sali Berisha, 11 dhjetor, që përkon edhe me themelimin e vetë partisë. Numri një i demokratëve, ka zgjedhur që t'i përgjigjet akuzave të ish-kryeministri në të njëjtën monedhë. Në një kohë kur Sali Berisha e cilëson si "peng të Ramës", Basha hedh akuza të forta duke thënë se Sali Berisha po bashkëpunon me Aqif Rakipin, Suel Çelën, Rrahman Rrajën dhe Tom Doshin, emra që PD-ja i ka sulmuar si të korruptuar e të lidhur me krimin.
"Cfare pune ka me PD, por nëse doni edhe me Sali Berishën: Qifja, Suel Çela, Rrahman Rraja, Tom Doshi Shpjegimi është i thjeshtë: Disa duan të jenë faktorë në PD dhe të vijojnë aferat e tyre korruptive e kriminale me PD-në siç kanë bërë e bëjnë me PS e Ramës. Disa të tjerë, që presin të shpallen non grata, u intereson kjo perplasje per te mbrojtur veten e tyre. Të gjithë këta që përmenda në një formë a tjetër janë njerëzit e Ramës, i shërbejnë vetëm Ramës, nuk vrasin mendjen as shqetësohen që demokratët janë pa bukë, janë nën presionin e pushtetit, janë papunë. U ka shkelur syrin Rama të futen në betejë nën flamurin e Berishës per te percare PD dhe zgjatur jeten politike të Edi Ramës. Kemi sakrifikuar shume per te mos e bere pis PD. Per ta mbajtur Partinë Demokratike të pastër nga krimi. Ska për të ndodhur as tani, as sot dhe as nesër", mësohet të ketë thënë Basha.



















