Luftimet në Siri duket se kanë përfunduar pas arratisjes së Bashar al Asad drejt Rusisë ku ka marrë azil, por tensionet janë ende të larta dhe frika se rebelët do dalin jashtë kontrollit ekziston.
Lajmet e fundit nga mediat nxorën në pah edhe ekzistencën e shumë shqiptarëve në atë vend, madje edhe si drejtues të ushtrisë rebele.
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi foli në “Studio Live” në Report TV, edhe për situatën atje dhe shqiptarët
“Shqiptarë ka, por nuk e di nëse janë shqiptarë që e dinë se janë të tillë. Se dimë nëse ruajnë kulturën e të tjera. Siria ka qenë pjesë e perandorisë osmane dhe lëviznin, si Pashko Vasa në Liban, apo edhe në Alepo si guvernatorë dhe në Palestinë, pra lëviznin, edhe deri në vitet 20-të apo pas luftës botërore, ka pasur shqiptarë në Siri. Ose teologë të lartë që kanë shkuar në Siri. Por ata e quanin veten në radhë të parë si myslimanë, e pastaj shqiptar. Sikurse edhe me arvanitët në Greqi, që po t’i pyesësh nuk e ndjejnë veten shqiptarë, sepse janë shkrirë me kombin. Ka një person me emrin Arnauti atje, në Siri, por sa e ndjen veten si shqiptar, do pyetur. Është në rolin e operacioneve speciale në grupin e rebelëve atje, u bë i njohur nga mediat shqiptarë kur ndodhi ajo që ndodhi, në të kundërt s’do ishte bërë kaq e madhe. Por ata e shohin veten si pjesë të fesë islame në radhë të parë. Si arvanitët që janë bërë pjesë e kombit në Greqi”, tha Krisafi.
Ai thotë se gjendja shkon drejt qetësimit dhe më të fituarit nga kjo situatë janë Turqia dhe Izraeli. Ky i fundit duket se ka krijuar një ‘portret’ të ri në Lindjen e Mesme, duke ndryshuar fizionominë gjeopolitike.
“Lufta ka përfunduar, shumica e Sirisë është në dorën e grupit të Tahir al Sham, por ka disa zona si grupet kurdët në lindje e verilindje të Sirisë. Nuk ka më konflikte të armatosura në pjesën më të madhe të Sirisë. Izraeli ka marrë nën kontroll zonën në lartësitë Golan. Izraeli ka shkatërruar të gjithë mjetet ushtarake që kishte Asadi dhe Siria, si bazat dhe armët kimike dhe jemi në momentin e një paqeje të brishtë. Shenjat janë të mira, po tregohen të arsyeshëm, ndoshta edhe nga ndikimi i SHBA dhe Turqisë. E ardhmja e Sirisë duket në duart e Turqisë në një anë dhe SHBA-Izrael në krahun tjetër. Kam përshtypjen se Siria do shkojë si Iraku pas Sadamit, me ndarje pushteti dhe zonash, për t’i mbajtur palët të kënaqura. Edhe komuniteti Drus në Siri, me kërkesë Izraelit që Izraeli ti aneksojë sepse kanë pak besim te regjimi i ri dhe kanë besim pak sintetik nga ai islam”, shprehet eksperti.
Por a do ketë Rusia telashe për azilin ndaj Asadit?
“Ai është i paprekshëm për sa kohë është në Rusi. E njëjta ndodhi me familjarët e Millosheviçit, s’u prekën. Assadi bëri zgjidhjen e duhur, u tregua i zgjuar në krahasim me të tjerët dhe shkoi në Moskë, të kundërtën që bëri Gadafi apo Sadami, që iu afrua Rusia dhe zgjodhën të luftonin deri në fund. Izraeli ka ridimensionuar të gjithë Lindjen e Mesme. Goditja e Hezbollahut që i hoqi një shtyllë Assadit dhe më tej Iranit, që ishte shtylla tjetër. Nuk luftoi ushtria e Assadit, por ndihma e Iranit dhe milicive të Hezbollah apo të Putinit, që e shpëtuan. Fakti që ushtria e tij nuk luftoi edhe këtë herë nuk është çudi. Vala e Hamasit që do hiqte ndikimin izraelit dhe amerikan në Lindjen e Mesme, pas një viti është pamje ndryshe, ku ka rënë ndikimi i Iranit dhe faktori i tij i shkatërruar. Izraeli ka dalë i fituari i madh, sikurse e Turqia, sepse ka çmontuar Iranin”, tha Krisafi.