Emërimi te 'Mbrojtja', Peleshi: Lëvizje politike, s'është për t'u fshehur jemi në një vit elektoral! PS drejt mandatit të tretë

8 Janar 2021, 22:14 | Përditesimi i fundit: 2021-01-09 00:42:10

TIRANË- Emërimi i tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Niko Peleshi nuk e fsheh që është një lëvizje politike, nisur nga fakti se është një vit elektoral. E për këtë lëvizje atributet ia jep kryeministrit Edi Rama, për të cilën thotë se ka një talent të spikatur për t'iu përgjigjur ambicieve dhe sfidave të kohës.

Intervistën e tij të parë si ministër i mbrojtjes, Peleshi e dha në ekranin e Report Tv në emisionin 'Pa Protokoll' të gazetares Anduela Ndreu ku është ndalur të flasë për një sërë çështjesh, që nga zgjedhjet e 25 prillit deri të marrëdhëniet personale me Ramën dhe Berishën.  Peleshi është shprehur i bindur se PS-ja do të marrë një mandat të tretë. Kjo jo për faktin se ka qenë një qeveri perfekte, por sepse ka mbajtur të gjitha premtimet që ka dhënë.

Ndalur te objektivat e tij si ministër i Mbrojtjes, Peleshi listoi një sërë pikash, ku ndër më kryesore tha se është mbrojtja kibernetike pasi shprehet se Shqipëria ka shumë pak specialistë.

Në fund, Peleshi është ndalur të flasë edhe për marrëdhënien personale me kryeministrin Edi Rama, i cili u shpreh se çuditet sa herë që i bëhet kjo pyetje, pasi sipas tij ky raport është i pandryshueshëm.