Pa Gjurme-‘Prej dy vitesh trupi m’u tjetërsua!’/31-vjeçarja:E pamundur të eci, pesha më ka bllokuar!

24 Nëntor, 01:29 | Përditesimi: 24 Nëntor, 01:29

Një histori e dhimbshme dhe një apel për ndihmë vjen në emisionin “Pa Gjurmë”. Marinela Kalemi, 31 vjeçe, nënë e një djali të vogël, prej dy vitesh përballet me një sëmundje të rëndë, për të cilën ende nuk ka marrë një diagnozë të qartë. Gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm. Dhimbjet që fillimisht nisën në shpinë janë përhapur në këmbë, ndërsa shtimi i peshës, plagët që kullojnë dhe vështirësia për të lëvizur ia kanë bërë jetën gjithnjë e më të vështirë. Familjarët dyshojnë se Marinela mund të vuajë nga elefantiaza, por kjo diagnozë nuk është konfirmuar nga mjekët. Sipas tyre, pavarësisht vizitave dhe trajtimeve të shumta, nuk është gjetur një zgjidhje, ndërsa familjes i është rekomanduar të kërkojë ndihmë mjekësore jashtë vendit. Vëllai i saj, Ervis Kalemi, rrëfen përpjekjet e familjes për ta shpëtuar nga kjo gjendje, vështirësitë ekonomike dhe borxhet e krijuara. Bashkëshorti i Marinelës punon deri në mesnatë për të përballuar shpenzimet, ndërsa 31-vjeçarja ka nevojë për kujdesin e vazhdueshëm të familjarëve. Mes dhimbjeve dhe frikës për të ardhmen, Marinela i drejtohet publikisht shqiptarëve me një apel prekës për ndihmë. Ajo kërkon një mundësi për t'u diagnostikuar, për t'u trajtuar dhe për t'iu rikthyer jetës pranë djalit dhe familjes së saj.

K.C/Shqiptarja.com