Përplasjet brenda PD po bëhen përditë e më të ashpra mes demokratëve. Akuzat e Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit se ‘Foltorja’ e Berishës nuk ka mbledhur dot as ¼ e firmave që duhen nga delegatët për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD dhe se po luan blofin, i është përgjigjur Edi Paloka, i cili ka ftuar gazetarët duke u hapur kasafortën e tij ku mbahen 4200 firmat e dorëzuara pak ditë më parë nga Berisha.
Paloka tha se ai i ka numëruar dhe janë dorëzuar 4200 firma, ndërsa pritet t’i shtohen dhe të tjera që po sillen pjesë-pjesë nga përfaqësuesit e Berishës. Paloka bëri të qartë se ai nuk ka të drejtë dhe as mundësinë të verifikojë nëse këto firma janë të delegatëve apo janë të falsifikuar apo jo, pasi këtë do e bëjë Komisioni i Verifikimit të Mandateve që ngrihet në Kuvendin Kombëtar ditën që ai do të mblidhet. Paloka pranoi se deri në momentin e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar, e vetmja gjë që mund të vërtetohet është numri i formularëve, dhe jo vërtetësia e firmave.



















