Ka përfunduar pas gati tre orësh protesta e PD, ndërsa eksponentët politikë të saj dhe militantët u kthyen në selinë e PD. Në përfundim të saj, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka në një prononcim për mediat tha se ky ishte hapi i parë i mosbindjes civile dhe se aksioni do të vijojë.
Se cilët do të jenë skenarët në vijim, Noka nuk dha detaje po këmbënguli në kërkesën e PD për qeveri teknike.
"Sot ishte dita e parë që mosbindja civile zbrit në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar sot mori një mesazh, mesazhi ishte jepi zgjidhje e kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Sot e kuptuan që beteja me qytetarët nuk fitohet as me gaz e as me dhunë. Qytetarët i dhanë një leksion, ne do jemi këtu të vazhdojmë mosbindjen civile. Narkosi duhet të largohet dhe ti hapë rrugë qeverise teknike.
Sot startuam nga parlamenti në rrugë, për çdo hap tjetër do jemi në kontakt. Ne do jemi në mosbindje civile. Sot ata janë duke u dridhur, janë të tërbuar sepse forca e qytetarëve u ka kallur datën. Me mijëra forca policore kanë rrethuar bunkerin e Surrelit se Sullatani atje dridhet dhe nuk fle i qetë. Revolta do vijë duke zier.
Kjo është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile. Ne do të jemi në aksion. Do t’iu njoftojmë për çdo gjë", tha Flamur Noka.