Peleshi: Ministria e Mbrojtjes, posti më i rëndësishëm që kam pasur deri tani! S'do i lë pas angazhimet politike për fushatë

8 Janar 2021, 23:09

Për Niko Peleshin, drejtimi i ministrisë së Mbrojtjes, është posti më i rëndëisshëm që ka pasur deri më tani, duke u zotuar se do e bëjë me shumë devotshmëri këtë punë, por shtoi se nuk do të lërë pas as angazhimet politike.

"Së pari, dua të them që për mua nuk është hera e parë që drejtoj një institucion. Mbase ky mund të jetë institucioni ose portofoli më i rëndësishëm që kam pasur deri tani, në aspektin strategjik të fjalës, të rëndësisë strategjike, të rëndësisë kombëtare. Por, në eksperiencën time 15-16-vjeçare në politikë jam përpjekur dhe besoj se kam arritur të harmonizoj dhe të vë të parat interesat e qytetarëve dhe më pas padyshim, në mënyrë legjitime edhe interesat politike të forcës politike që unë përfaqësoj. Veçanërisht në këtë ministri, unë apo kushdo tjetër, duhet të vërë të parin interesin tonë kombëtar. Kështu që, së pari, dua të them që në këtë pjesë të mandatit tonë të dytë ku më është besuar ky dikaster, ky pozicion, do të mundohem që të punoj me devocion dhe të punoj sikur është dita e parë e mandatit. Pra, do të jap të gjitha forcat e mia për të bërë më të mirën për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, për ta forcuar vendin tonë në Aleancën e NATO-s, për të forcuar lidhjet me partnerin tonë të veçantë, strategjik, ShBA-të, dhe padyshim edhe me BE-në sepse të gjitha përpjekjet tona të sigurisë kombëtare, të mbrojtjes së rendit kushtetues, të mbrojtjes civile padyshim i japin një dorë të rëndësishme edhe procesit më të madh historik që ne kemi, që është procesi i integrimit në BE.   

Pyetur nëse do të ketë prioritet ministria, përtej faktit se çfarë ndodh në Qarkun e Korçës politikisht, Peleshi dha këtë përgjigje.

          "Nuk do të ketë asnjëherë lidhje dhe ndërprerje të punës në përmbushje të misionit dhe të detyrës si ministër i Mbrojtjes me interesat e tjera politike. Interesat politike janë legjitime. Ne e kemi kërkuar vetë një sistem të tillë të demokracisë liberale, ku partitë politike janë ato që konkurojnë dhe më pas, në varësi se kush merr shumicën e votave merr të drejtën që të qeverisë. Ky është një sistem që e kemi kërkuar dhe nuk kemi bërë keq. Pra veprimtaria politike, partitë politike, ndonëse në mjedisin tonë politik, por edhe në atë botëror ne qoftë se doni, kanë marrë një lloj konotacioni negativ, por janë legjitime, janë themeli i sistemit politik të cilin e kemi adoptuar", përfundoi ministri.