Përfundon ministeriali SHBA-Karta e Adriatikut në Tiranë, Vengu: Prioritet anëtarësimi i Kosovës, ndihmë Ukrainës dhe mbrojtje kolektive në zonën euroatlantike

4 Dhjetor 2024, 22:02

Tiranë- Përfundon ministeriali SHBA-Karta e Adriatikut në Tiranë. Në përfundim të tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu mbajti një konferencë për shtyp bashkë me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë, Celeste Wallander. Ata dhanë një deklaratë të përbashkët, në përfundim të ministrierialit SHBA-Karta e Adriatikut.

Ministri Vengu në fjalën e tij falënderoi SHBA-të dhe vendet anëtare të Kartës, kolegë të pranishëm, për bashkëpunimin në fushat ushtarake dhe të sigurisë, me qëllim paqen dhe prosperitetin në rajon. 

Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatiku (A-5) u mblodhën në Tiranë, për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që shtrohen në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Ky ministerial u bashkëdrejtua nga ministri Vengu dhe ndihmëssekretarja amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander.