Përgjimet? Hajdari: Nuk jam i befasuar nga “xhevahiri” që ka në dorë SPAK-u

27 Nëntor 2023, 21:47

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari i ftuar në emisionin “5Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv deklaroi se nuk është aspak i befasuar nga përgjimet që sollën partnerët nga aplikacioni “Sky” që së fundmi dërgoi pas hekurave ish-zv/ drejtorin e policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Ai tha se kjo dosje me përgjime, që e cilësoi “xhevahir” është një mundësi e mirë që të pastrohet policia nga elementët e inkriminuar.

Nuk jam befasuar sepse dhe ne do të kalojmë ato procese që ka kaluar bota demokratike. Ju e dini çfarë kaloi Italia në vitet ’70-80. Këto janë në përmasa normale.

Vetëm se tani është sfidë e madhe që kthehen në nivel të lartë inkriminimi në agjencitë ligjzbatuese. Ne duhet të bëjmë një operacion kirurgjikal të pamëshirshëm deri në qelizë si pasojë e këtij “xhevahiri” që erdhi nga partnerët.

Që kushdo që ka ngatërruar uniformën e policisë me grupet e trafikut, drogës dhe armëve të dalin minimumi jashtë sistemit dhe maksimumi që të bëhet është që të kërkohet përmes tyre, të gjitha pasuritë e tyre të vendosura në mënyrë të paligjshme dhe të shikohet si ka qenë bashkëpunimi me këta zyrtarë.

Me krimin përzihet zyrtari, krimineli, politikani. Jemi në një periudhë sfide shumë të madhe. SPAK-u po jep prova ditë për ditë që nuk është një strukturë që ndikohet politikisht apo nga kërcënimet” tha Shkëlqim Hajdari.