Pjerin Ndreu rrëzon gënjeshtrat e Berishës: Jam vetëizoluar dhe kam bërë dy tamponë, nuk jam me COVID-19

29 Korrik 2020, 22:02 | Përditesimi i fundit: 2020-07-30 09:05:40

Pjerin Ndreu , kreu i Bashkisë Lezhë për Report Tv mohoi të jetë i prekur nga COVID-19, ndërsa tha se pozitive ka qenë bashkëshortja e tij. Në një lidhje skype për emisionin "Repolitix", Ndreu tha se ai dhe djali i vogël rezultuan negativ, por sërish ndenji në karantinë për 12 ditë dhe bëri një tampon të dytë, ku rezultoi po negativ me COVID-19. Në lidhje me denoncimet  e bëra nga Sali Berisha përmes qytetarit dixhital, Ndreu tha se kjo është absurde dhe se ai nuk mund të bëhet me COVID pse thotë qytetari dixhital duke e quajtur një veprim të turpshëm.

"Nga data 8 bashkëshortja ime ka rezultuar pozitiv dhe kemi bërë tamponin të gjithë, unë dhe djali i vogël kemi rezultuar negativ. Ndejta 12 ditë karantinë dhe bëra tamponin dhe dola sërish negativ dhe kam shkuar në punë. Dhe bashkëshortja e ka kaluar tashmë dhe ka dalë negative. Nuk ka asnjë arsye të shqetësohem. Në punë të gjithë e  dinë që kam gati dy javë që nuk shkoj. Unë nuk mund të bëhem me covid se thotë qytetari dixhital, është turp ta marrësh dhe si referencë", tha Ndreu.