'Non grata', ja dosjet mbi aferat e klanit Berisha! Privatizimi i 'Kompleksit Partizani', si Berisha eliminoi zyrtarët që s' firmosën në favor të Jamarbër Malltezit

21 Maj 2021, 19:33 | Përditesimi i fundit: 2021-05-21 19:34:31

Parulla që Partia Demokratike përdori gjatë fushatës zgjedhore 2005 ishte "Koha për ndryshim". Por, sapo ata fituan zgjedhjet dhe u kthyen në pushtet, tetë vjet pas skandalit të përgjakshëm të piramidave financiare, qeveria e Sali Berishës nuk vuri ndër përparësitë e saj ndryshimet për vendin, që kishte premtuar, por privatizimin e Kompleksit Sportiv "Partizani '' i destinuar për familjen e tij. Për herë të parë, e gjithë dosja për privatizimin e '' Kompleksit sportiv Partizani '' ka dalë nga arkivat e ministrive me kërkesë të gazetarëve investigativë të Report TV, të cilët e studiuan atë për muaj me radhë. Falë punës kërkimore nëpër arkiva të ndryshme kemi gjetur edhe dokumentat e pabotuara përpara që hedhin dyshimet edhe mbi origjinën e vërtetë të pronës.

Në pjesën e dytë të investigimit do të tregojmë gjithë lëvizjet dhe presionin që strukturat e qeverisë Berisha edhe me firmën e vetë kryeministrit bënë për t'i dorëzuar më në fund atë truall tek Jamaber Malltezi dhe trashëgimtarët e tjerë, duke ndëshkuar një gjeneral të Ushtrisë i cili me kurajo guxoi të denoncojë parregullsitë, pas një inspektimi skandaloz që njerëz të Berishës ja ngarkuan personalisht njërit nga ish-pronaret përfitues të pronës.

Në nëntori 2005, vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës, Ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu filluan procedurat e privatizimit të qendrës më të madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, qe në fund u pagua vetëm 14.000 euro. Në atë tokë sot janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, dhëndri i ''doktorit", është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve. Një çështje e errët që prodhoi fitime prej dhjetëra miliona eurosh.

Ajo që del është një histori me një mijë pika të errëta, në të cilat shfaqen jo vetëm dyshime për korrupsion dhe abuzim, por që mbi të gjitha, tregojnë sjelljen e një sistemi të tërë shtetëror që, me përjashtime të rralla, pranoi të gjunjëzohej para Sali Berishës duke shkelur çdo normë etike dhe çdo procedurë vetëm që t'i shërbente shefit të tyre. Një mënyrë për të konceptuar pushtetin në shërbim të familjes dhe në konflikt të hapur interesi që klani i Berishës është gati ta ripërsërisë.