Protesta e presidentit Meta, të ftuar Edmond Budina dhe Eduart Shalsi

3 Mars 2020, 14:17

TIRANË- Mazhoranca është e unifikuar në qëndrimin e saj sa i përket tubimit të presidentit Ilir Meta që zhvilloi pasditen e sotme në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Ata shprehen se nuk e kanë parë për shkak se kanë qenë në mbledhje, por me ato që kanë lexuar në lajme, për ta Meta ka marrë drejtimin e opozitës, duke "hequr dorë" nga posti i presidentit.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ministri i sipërmarrjes, Eduart Shalsi në studion e Report Tv, në emisionin 5 pyetjet nga Babaramo. Ai tha se do të ishte më e ndershme që Meta të linte postin si drejtues i shtetit, të merrte drejtimin e partisë që ka krijuar vetë, LSI-në dhe të "luftonte" për postin e kryeopozitarit.  Për Shalsin, nuk u pa asgjë e re në atë tubim që zgjati prej 2 orësh.

"U mësuam, një vit protesta, protesta, pa bazë dhe nuk është se mëson ndonjë gjë të re. Të gjithë ato lëvizje që medemek sipas tyre kishin popullin që i ndiqte dështuan me turp. Se nuk ishin shqetësime reale të popullit, nuk i përfaqëson, flasin në emër të tij, por presidentit e ka zgjedhur kjo mazhorancë. Meta është një politikan me përvojë, edhe pse përvoja dhe jetëgjatësia në politik është e kundërta e asaj që duhet të konsiderohet si ekperiencë, nuk e mendonim që do shndërrohej në një figurë që nuk përfaqëson popullin. Është protagonist i opozitës, duket se ka një garë kush do marrë flamurin e opozitarizmit. Do ishte normale të linte postin e presidentit dhe të merrte drejtimin e e partisë që ka pasur. Nga lajmet mësova disa shprehje se cfarë ka ndodhur në tubim, asgjë e paditur. Është në rrugën e tij projektuar një vit më parë me një strategji të re", tha Shalsi në Report Tv.

Të njëjtën gjë tha më herët edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh aspak i surpriza nga ajo se çfarë ndodhi sot në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", por theksoi se Meta nuk ka asnjë shans të shpërndajë parlamentin.