DURRËS- Me pretendimin se Bashkia e Durrësit nuk ka bërë asnjë ndërhyrje për të përmirësuar sistemimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, banorët e rrugës "Gjergj Balshaj" në zonën e ish Kënetës janë ngritur në protestë.
Përveçse banesat e tyre nuk janë të lidhura me kolektorët e qytetit, ata shprehen se edhe ujërat e zeza derdhen në kanalet kulluese para pronave të tyre, duke bërë që era e keqe të jetë e padurueshme. Situata rëndohet edhe më tepër me rritjen e temperaturave.
Vijnë dy kolektorë kryesor. Nga Porto Romano dhe Konservimi. Derdhen këtu. I lutemi Bashkisë dhe qeverisë që ujërat e zeza ti çojnë në kolektorin kryesor. Nuk dalim dot në derë. Jemi më shumë se 300 familje. E kemi ngritur kaq herë si problem dhe nuk na kanë dhënë zgjidhje. Të marrin masa që mos të vdese populli nga malarja e infeksionet e tjera”, tha një banor.
“Ju po e shikoni vetë realitetin e këtij komuniteti. Të bëjnë kanalin. Kjo na intereson. 20 Vjet këtu rrimë. I lutem qeverisë të vejë dorë se po na marrin shpirtin. Këtu nuk rrihet. Është skandal. Nuk kanë ku të shkojnë se nuk ka kolektor”, u shpreh një tjetër.
“Duhet të bëhet sa më shpejt. Mushkonjat të mbysin. Do na vije malarja”, tha një tjetër.
Në mbështetje të tyre ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike për Durrësin, Ferdinand Xhaferraj.
“Qytetarët kanë kërkesën më normale të mundshme. Të rregullohet kanali. Ky është Durrësi turistik i vitit 2021. Kanë 20 vite që drejtojnë bashkinë dhe 8 vite qeverinë dhe ja ku janë. Shikoni si është gjendja këtu. Gjithçka flet vetë”, tha kryetari i PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj.