Provimi i maturës sërish me masa anti-COVID, 34 mijë maturantë zhvilluan testin e gjuhës së huaj

3 Qershor 2021, 16:31

Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të parë të Maturës Shtetërore 2021, atij të gjuhës së huaj.

Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në 12:30, ndërsa edhe këtë vit u zbatuan masat anti-COVID, brenda 208 qendrave në të gjithë vendin ku janë zhvilluar testet.

Ndryshe nga vitet e kaluara, tezat e sivjetshme përmbajtën pyetje me alternativa dhe me zhvillim, që ishin të orientuara drejt përgjigjeve logjike dhe jo riprodhimit. Testi në total ka 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25%, ose 15 pikë. 

Për mbarëvajtjen e provimeve, mbikëqyrja u bë nga përfaqësues të MASR dhe përgjigjes administrimi. Dhe në rast konstatimi të telefonit apo kopjes, maturanti përjashtohet nga provimi dhe do ta kryeje atë në vjeshtë dhe jo si vitet e kaluara kur pezullimi ishte një vit. E njëjta gjë vlen edhe nëse nxënësi rezulton i infektuar me COVID.

Provimet e tjera do të zhvillohen 4 ditë diferencë ndërmjet njëra- tjetrës. Ato do të zhvillohen më  7 qershor Gjuha Shqipe, 11 qershor Matematika dhe 15 qershor Lënda me zgjedhje.