Teksa në Budapest të Hungarisë po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, për çështjet e sigurisë, i pranishëm ndodhet edhe kryeministri Shqiptar, Edi Rama. Ai u takua edhe me homologun hungarez, Viktor Orban, teksa Shqipëria merr stafetën për ta organizuar samitin e radhës në vendin tonë vitin tjetër.
Rama njoftoi se vitin tjetër ky Samit mbahet në Shqipëri dhe foli shkurtimisht për mediat në lidhje me këto çështje, por edhe për raportet e NATO-s me SHBA-të, pas zgjedhjes së presidentit Trump.
“U bë shumë zhurmë, le të mos bëhemi histerike. Për Shqipërinë nuk ndryshon asgjë. SHBA-të janë SHBA-të dhe nuk ndryshon asgjë. Të gjithë thonin NATO do bëhet e dobët dhe NATO u bë më e fortë. Nuk mendoj se kjo do jetë domosdoshmërisht e keqe për Europën, mund të jetë diçka e mirë”, u shpreh kryeministri.
I pyetur në lidhje me presidentin ukrainas Zelensky, luftën Rusi-Ukrainë dhe zgjedhjen e Donald Trump, Rama tha:
“I thashë Zelenskyt se nuk është diçka për tu shqetësuar. Nuk është domosdoshmërisht për t’u shqetësuar, por diçka për t’u reflektuar, për të pasur një Evropë më të fortë”.
Kurse për mendimin nëse do ndikonte ajo që ndodh në SHBA edhe në NATO apo Europë, kryeministri ndau mendimin se nuk do ndikonte për keq.
“Nuk mendoj se ajo që ka ndodhur në SHBA është diçka shqetësuese, përkundrazi është një gjë që mund tregojë se gjërat duhen bërë ndryshe. Kur u zgjodh herën e parë (Trump) të gjithë menduan se NATO do dobësohej, por ajo u forcua”, tha Rama.
Ai nuk pranoi të përgjigjej për çështje madhore të NATO-s, si lufta apo siguria, si dhe raportet e mëtejshme SHBA-NATO, duke thënë me humor se “unë vërtetë jam kryeministri më i gjatë këtu, por i një vendi të vogël. Nuk më takon mua”.
Ai shtoi në fund se shqiptarët janë një komunitet i madh në Europë, por edhe në SHBA dhe asgjë nuk ndryshon pas zgjedhjeve në Amerikë.
Rama u pyet edhe për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, por duke bërë edhe pak diplomatin, i tha gazetarit: “Pyet Xhorxhian, (Melonin), se po vjen tani...!”.