Receta e parë: Petulla të fshira
Përbërësit:
500 gr miell
1 litër ujë
Kripë
6 kokrra vezë
2 lugë gjelle vaj ose gjalp i tretur
1 lugë gjelle gjalp për lyerjen e tiganit
Për mbushjen:
5 lugë gjelle vaj ulliri
6-7 thelpinj hudhër
200 gramë djathë i bardhë
Përgatitja:
Vendosim ujin dhe miellin në një tas dhe i trazojmë mirë me telin e vezëve, derisa të krijohet një masë homogjene. Më pas shtojmë vezët dhe vazhdojmë përzierjen derisa masa të lidhet dhe të bëhet kremoze. Në fund shtojmë kripën dhe 2 lugë vaj.
Ngrohim tiganin në temperaturë mesatare dhe e lyejmë atë me pak gjalpë ose vaj duke e fshirë tiganin dhe më pas shtojmë një garuzhde me brumë duke e hapur në të gjithë sipërfaqen e tiganit, njësoj siç veprojmë me krepat. E lemë 2 minuta të piqet dhe e kthejmë duke e pjekur petullën e fshirë nga të dy anët. Kështu veprojmë derisa të mbarojë i gjithë brumi.
Lyejmë një tavë të vogël me pak gjalpë ose vaj ulliri dhe vendosim petullat e shtrira duke vendosur mbi çdo petull pak djathë të thërrmuar, hudhrat e grira imët dhe pak vaj ulliri. Kështu vazhdojmë deri në përfundimin e petullave, e spërkasim në fund sipërfaqen me djathë, hudhër dhe pak gjalpë dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturën 220 gradë Celsius për 20 minuta.