Receta e ditës - Tavë me pulë, domate e oriz dhe qofte me thjerrza / Pjesa e parë

20 Qershor 2019, 11:51

Receta e parë: Tavë me pulë, domate dhe oriz

Përbërësit:

800 gr pulë

3 kokrra qepë

2 speca

½ spec djegës

700 gr domate të pjekura

1 lç sheqer

1 gotë oriz

4 lgj vaj ulliri

Kripë+ piper i zi

Përgatitja

Marinojmë pulën me kripë e piper të zi. Qërojmë qepën dhe e presim në fije si për sallatë. Specat i presim në shirita. Domatet I vendosim në ujë të valuar dhe i heqim lëkurën e më pas i presim në feta. Ngohim vajin dhe skuqim mishin e pulës nga të dyja anët. Shtojmë qepën dhe e kaurdisim atë deri sa të zbutet e të zverdhet pak. Shtojmë specat dhe i trazojmë deri sa të ulet volumi i tyre. Më pas shtojmë domatet, sheqer, kripë e piper të zi. Sa të fillojnë të ziejnë, shtojmë mishin e pulës dhe e lëmë të ziejë për 7-10 minuta. Shtojmë orizin dhe e lëmë të ziejë për 5 minuta. Kalojmë të gjithë përbërësit në një tavë të cilën e vendosim në furrë në temperaturën 200ºC për 25-30 minuta deri sa mishi të jetë pjekur dhe orizi të jetë zier. Nëse domatet nuk kanë shumë lëng mund të shtoni një gotë ujë të nxehtë.

Kjo recetë kushton 620 lekë, por asnjë prej telefonuesve që u bënë pjesë e quiz-it nuk mundën të gjenin vlerën e saktë. Të gjitha amvisat mund të bëhen pjesë e quiz-it duke telefonuar në numrin 044 400 101 dhe të kenë mundësi të fitojnë 2000 lekë të reja nga Conad.