Rriten tensionet te ‘Sheshi Uillson’, Bardhi konfrontohet me Policinë: Po bëni veprime kriminale, po dhunoni deputetët dhe mediat, turp!

23 Dhjetor, 18:47

Nuk ndalen tensionet te “Sheshi Uillson”. Të tjera shtyrje dhe përplasje mes palëve.

Gazment Bardhi mbajti tjetër fjalim para mediave, duke denoncuar Policinë. 

“Po tentohet të dhunohen qytetarët duke shkelur të drejtën për të protestuar. Deri tani nuk ka numër të caktuar dhe nuk ka të shoqëruar këtu ku jemi. Punonjës të policisë që duhet të garantojnë ligjin, shkelin ligjin, bëjnë të kundërtën dhe dhunojnë qytetarët”, tha ai.

Ligjvënësi demokrat shtoi më tej se tentoi të merrte dhe shpjegime, por ishte e pamundur. 

“Nuk e di kush i drejtonte këto forca por një drejtues me mbiemrin Pali i kërkova shpjegime se përse shtynin, por nuk mora një përgjigje. Janë veprime kaotike, kriminale, të paligjshme. Nuk janë veprime të qarta. Ja, po bëjnë të njëjtën gjë. Ata vazhdojnë, shikoni se çfarë i bëjnë përfaqësuesve të medias”, tha deputeti i PD, i cili u shkëput pasi ndali fjalimin dhe vihet para kordonit policor, ku ishte krijuar një situatë e re e tensionuar.

Ai u rikthye nga efektivët duke akuzuar:

“A mund ta di ça veprimi është ky dhe kjo gjë. Ku e gjeni të drejtën të dhunosh deputetët dhe qytetarët. Turp, po të kërkoj të zbatosh ligjin. Nuk ka asnjë pengim, jeni duke gënjyer publikisht!”, përfundoi ai.

Teksa pas Bardhit ishte deputeti Korreshi që bënte ironi me efektivët, duke thënë: “Mos hap, mos hap...”, duke kujtuar lojën e fëmijëve.

    No videos found.