Gjykata e Lartë ka dërguar sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dosjen arkivore të Gërdecit. Dorëzimi i dosjes vjen pas vendimit të Apelit të GJKKO për të rikthyer për hetim në SPAK dosjen e bujshme të Gërdecit, duke i hapur rrugë edhe rigjykimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
"Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu", thuhet në njoftimin e SPAK.